Ballina Lajme FSK së shpejti ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s

FSK së shpejti ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s

0
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 20 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.

Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila me shumë mund e sakrifica po krijon një imazh ri të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:

Të nderuar ushtarë e oficerë,

Gjeneral Rama, ministër Berisha,

I nderuar president i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Familjarë të dëshmorëve, martirëve, kategori të lirisë,

E nderuar dhe e respektuar Familje emblemë e shqiptarëve, Familja Jashari

I dashur baca Rifat.

Sot, kur para nesh parakalon Forca e Kosovës, në fytyrat e tyre shëmbëllejnë ushtarët e lirisë.

Fytyra e ushtarit është e përjetshme dhe na ngjanë gjithmonë në fytyrat e heronjve tanë që jetën ia dedikuan atdheut.

Kjo tokë ka njohur ushtar e ushtri të rrepta e guximtare, që nga radhët e dardanëve e deri te Ushtria e Çlirimtare e Kosovës, ushtria e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.

Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve.

Ju, në rrethana paqeje do të shërbeni kudo që e kërkon Aleanca Veri-Atlantike aty ku do të jetë edhe qëllimi Ynë!

Pra, ushtarë e oficerë, Forca e Sigurisë së Kosovës, të gjithë ju prezentë, sot ne mund të kthehemi të nderojmë dhe kujtojmë me respekt të rënët për liri, të kujtojmë me respekt Epopenë e UÇK-së dhe rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të betohemi në drejtimin tonë për një liri të përjetshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here